Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

KP: ​Abdixhiku takon Osmanin, mes diskutimeve çështja e presidentit

Gazeta10
25 Prill 2026 - 18:59

Agjencia e lajmeve “Kosovapress” ka raportuar se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pasur pasditen e së shtunës një takim me ish-presidenten e Vjosa Osmani lidhur me zhvillimet e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ky takim vjen pas zhvillimeve të fundit në skenën politike, përfshirë propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje tre emra të mundshëm konsensual për postin e presidentit, PDK-së dhe LDK-së.

KosovaPress nga burimet e saja të afërta me LDK-në, konfirmojnë se në takim nga ky subjekt politik ka marrë pjesë vetëm Abdixhiku.

Gjatë ditës, kreu i LDK-së i është drejtuar publikisht kryeministrit Albin Kurti lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet partive.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka kërkuar nga Kurti që të sqarojë qëndrimin e tij nëse synon një marrëveshje politike me LDK-në apo nëse është i orientuar drejt sigurimit të 90 votave në bashkëpunim edhe me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai ka theksuar se në rast se ekziston vullnet për bashkëpunim me LDK-në, atëherë duhet të hapet komunikimi i drejtpërdrejtë mes palëve.

Në këtë kontekst, Abdixhiku ka bërë të ditur se LDK-ja merr përgjegjësinë për propozimin e kandidatit për president, duke mos përjashtuar edhe emrin e Vjosa Osmanit, nëse sigurohen votat e nevojshme në Kuvend.

“I nderuar Kryeministër Kurti, Meqë po komunikojmë në distancë, Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të,” shkruan Abdixhiku.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill të zgjedh presidentin e ri të vendit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.