
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot ka diskutuar për zëvendësimin e deputetëve të dorëhequr nga radhët e komunitetit serb, raporton Gazeta10.
KQZ-ja në këtë mbledhje, miratoi rekomandimin e kandidatëve për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të Listës Serbe.
“Bazuar në kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani të dorëzuar më 8 nëntor 2022, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duke vepruar në pajtim me nenin 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lëndët KI45/20 dhe KI46/20, rekomandon nëntë (9) kandidatët e radhës nga subjekti politik “Lista Serbe” dhe një (1) kandidat nga subjekti politik GI Za Slobodu Pravdu i Opstanak – GI SPO, të certifikuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021”, u tha gjatë mbledhjes.
Këta janë emrat e deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe dhe personat e propozuar për zëvendësim:
Verica Çeraniq propozohet të zëvendësohet me Ksenija Bozoviq nga Lista Serbe
Branislav Nikoliq propozohet të zëvendësohet me Rados Mihajloviq nga Lista Serbe
Milosh Pervoviq propozohet të zëvendësohet me Nenad Radenkoviq nga Lista Serbe
Ljubinko Karadzhiq propozohet të zëvendësohet me Svetislav Jokiq nga Lista Serbe
Jasmina Dediq propozohet të zëvendësohet me Biljana Maksiq nga Lista Serbe
Dragana Antonijeviq propozohet të zëvendësohet me Cvetko Veljkoviq nga GI SPO
Slavko Simiq propozohet të zëvendësohet me Milan Kostiq nga Lista Serbe
Igor Simiq propozohet të zëvendësohet me Zoran Maksimoviq nga Lista Serbe
Miljana Nikoliq propozohet të zëvendësohet me Olivera Zdravkoviq nga Lista Serbe
Zoran Mojsiloviq propozohet të zëvendësohet me Milan Joksimoviq nga Lista Serbe
Në fillim të nëntorit, Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, ndërkaq me 7 nëntor edhe zyrtarisht dhanë dorëheqje nga mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Kjo situatë e dorëheqjeve ka ardhur pas vendimit të institucioneve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, që ka refuzuar të zbatojë vendimet e Qeverisë./Gazeta10