
Në 24 vjetorin e Masakrës së Izbicës, Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi së bashku me anëtarë të Kryesisë dhe deputetë kanë bërë homazhe në Kompleksin e varrezave ku pushojnë eshtrat e 147 martirë të vrarë dhe masakruar nga forcat serbe.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi me këtë rast ka shkruar se kujtojmë dhe nderojmë 147 martirët e një prej masakrave më të mëdha në Kosovë, asaj të Izbicës, të cilët, 24 vite më parë u vranë mizorisht nga regjimi kriminal serb.
“Gra, fëmijë, burra e pleq vriteshin gjithandej, pa shkak e pa mëshirë. Fatkeqësisht, janë mbi 400 masakra të kryera mbi popullsinë civile shqiptare, për të cilat, fare pak urdhërdhënës dhe ekzekutues kanë dalë para drejtësisë”, ka shkruar Krasniqi.
Ai në fund ka thënë se “edhe në këtë përvjetor të dhembjes, njëkohësisht krenarisë tonë kombëtare, thërrasim për drejtësi, të cilën akoma e presin dhe kërkojnë familjarët, shoqëria dhe shteti ynë”. /Gazeta10/