
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur sot për barazinë gjinore në ditën e dytë të edicionit të dhjetë të Javës së Gruas, me temën kryesore “Barabarësia: parakusht për ripërtëritje të demokracisë”, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI).
Krasniqi ka thënë se për “50/50 qasje në PDK” ishte angazhuar personalisht, duke shtuar se një tryezë e veçantë për gra e një tjetër për burra nuk duhet të ekzistojë.
“Në momentin që e kam marrë besimin për ta udhëhequr PDK-në e kam bërë të qartë që të bëjmë reforma. Çështjen e grave e kam pasur preokupim personal sepse vështirësitë me të cilat përballen ato janë shumë më të mëdha sesa e burrave. Organizatat e ndara për gra nuk duhet të ekzistojnë. Kam pasur një përkushtim personal në këtë punë, ka qenë angazhimi im e kam konsideruar më shumë prioritet unë se në të kaluarën, më mirë vonë se kurrë”, ka thënë Krasniqi. /Gazeta10/