
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur se javën e pavarëisë e ka përmbyllur me një takim me krerët e UÇK-së në Hagë.
Krasniqi ka thënë se shënimi i 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës nuk do të ishte i plotë pa i uruar ata që ngritën themelet e shtetit tonë, pra Thaçin e Veselin, raporton Gazeta10.
“Shënimi i 15 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës nuk mund të ishte i plotë pa i uruar ata që tërë jetën punuan e sakrifikuan për lirinë që e gëzojmë sot dhe që ngritën themelet e shtetit tonë – Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Javën e Pavarësisë e përmbylla në Hagë, aty ku çlirimtarët e Kosovës po zhvillojnë betejën e tyre të fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi.”, ka shkruar Krasniqi.
Tutje Krasniqi ka shkruar se uron që festat e ardhshme Thaçin, Veselin, Krasniqin Selimin e të tjerët t’i gjejnë në Kosovë.
“Duke rikujtuar së bashku momentin dhe emocionet e 17 Shkurtit të vitit 2008, por edhe aspiratat që i kemi përmbushur në vijim, urova që Hashim Thaçi e Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi dhe të gjithë çlirimtarët e tjerë t’i kemi në Kosovë në festat e ardhshme, si triumfues e fitimtarë.”, ka shkruar ai.
Në fund, Krasniqi ka thënë se është përherë falënderues për “kontributin e tyre të pashoq për Kosovën”./Gazeta10