
Krerët e komunave po protestojnë kundër Qeverisë, duke kërkuar kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore.
Kryetari i Rahovecit dhe anëtari i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, Smajl Latifi, tha se komunat janë përballur me dëme të mëdha në shtëpi, biznese dhe prona bujqësore.
“Sot po flas para jush jo veç si anëtar i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, por edhe si kryetar i komunës që është përballë pasojave të vërshimeve që kanë përjetuar biznese, shtëpi e prona bujqësore, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha natyrore”, tha Latifi.
Ai theksoi se në raste të tilla, komunat janë institucionet e para që dalin në terren për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
“Në këto situata, komuna është institucioni i parë që del në terren, por mundësitë financiare të komunave janë të kufizuara dhe s’mund t’i kompensojnë dëmet e mëdha. Raportet dhe kërkesat i dërgohen nivelit qendror”, u shpreh ai.
Latifi tha se përgjegjësia për kompensimin e dëmeve tashmë është në duart e Qeverisë, por shumë prej të prekurve ende nuk kanë marrë kompensim.
“Prej këtij momenti, përgjegjësia është në duart e Qeverisë. Fatkeqësisht, shumë fermerë, biznese e komuna ende nuk janë kompensuar. Kjo pritje është e padrejtë”, deklaroi kryetari i Rahovecit.
Ai kërkoi nga Qeveria që të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Kërkojmë nga Qeveria të krijojë mekanizëm të qartë e të drejtë për kompensim të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore”, tha Latifi.