
Kreshnik Gashi ka deklaruar në emisionin Adresa se qytetarët nuk po arrijnë të gjejnë shpresë dhe zgjidhje për problemet kryesore të shtetit te oferta aktuale politike.
Sipas Gashit, debati politik është devijuar nga temat thelbësore që prekin qytetarët dhe funksionimin e shtetit. Ai tha se partitë politike po shmangin diskutimin për çështje të rëndësishme si integriteti institucional, meritokracia dhe luftimi i krimit të organizuar.
“Qytetari nuk është duke e pa zgjidhën për këto probleme esenciale të funksionimit të një shteti me ofertën momentale politike”, u shpreh Gashi.
Ai shtoi se në vend të debateve për sundimin e ligjit dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike mbi vlera evropiane, diskursi politik po dominohet nga krahasimet se cili lider apo parti është më e mirë ose më e keqe.
Sipas gazetarit, mungesa e fokusit në shtetin ligjor dhe vlerat demokratike po ndikon në humbjen e besimit të qytetarëve ndaj politikës.