
Kreu i Republika Srpska-s në Bosnjë, Milorad Dodik ka folur sërish për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Dodik e ka quajtur kriminel ish-ndërmjetësin ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, Wolfgang Petrisch.
“Shkelja e marrëveshjeve ndërkombëtare është vepër penale dhe kriminelët si Petrisch nuk duhet t’i japin mësim askujt. Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, ai nuk është shoqatë e qytetarëve siç sugjeron Petrisch. Sipas Marrëveshjes së Brukselit, Asociacioni duhet të reflektojë funksionalisht interesat e popullit serb në Kosovë, tha Dodik, duke iu përgjigjur diplomatit të njohur i cili tha se Asociacioni s’duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe as njëfarë Republika Srpska, me të cilën tha se kanë përvojë të keqe.
Ai ka hedhur edhe më tutje Kritika ndaj ish-ndërmjetësit ndërkombëtar.
“Më vjen keq që kujtimet e tij për Republika Srpska nuk janë më traumatike se ato që ai përshkruan, sepse një ngacmues i tillë ndërkombëtar nuk meritonte më mirë. Të sugjerosh se cilit kamp duhet t’i bindet Serbia dhe rajoni i Ballkanit është një refleks i një menaxheri kolonial që e sheh këtë rajon dhe qasjen ndaj tij përmes asaj që bëri në Bosnjë e Hercegovinë si një përfaqësues i lartë” tha Dodik.