
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qenë i ftuar të mërkurën në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.
Krasniqi ka lavdëruar kandidatin për kryeministër, Bedri Hamzën, duke e quajtur si një nga figurat më të rëndësishme në skenën politike.
“Z.Hamza është një nga figurat e njohura në skenën politike. Gjithë jetën e tij ia ka dedikuar shërbimit publik në këto mbi 20 vite. Ka pasur edhe pozicione të rëndësishme institucionale… Në të gjitha pozicionet që ka qenë ka shërbyer me nder dhe me profesionalizëm”, ka theksuar Krasniqi.
Derisa ka folur për karrierën e Hamzës si ministër i Ekonomisë në të kaluarën, Krasniqi ka theksuar se ai ka qenë gardian i parasë publike.
“Prej atyne ministrave, ka qenë i dedikuar në punë. Nuk ka qenë më i lehti për të bashkëpunuar për shumë ministra. Gjithmonë ka qenë gardian i parasë publike”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, Krasniqi është shprehur i bindur se nuk ka kryeministër më të mirë për Kosovën sesa Bedri Hamza.
“Unë jam i bindur që nuk ka kryeministër më të mirë në Kosovë sesa Bedri Hamza në kontekstin dhe gjendjen aktuale në të cilën Kosova është sot dhe në të cilën ka ardhur si pasojë e mungesës totale të një vizione të qeverisjes aktuale”, ka theksuar Krasniqi.
I pyetur se si erdhi vendimi që Hamza të kandidojë për kryeministër, përkundër që vetë është prijës i partisë, Krasniqi ka thënë se këtë vendim e ka marrë me besim të plotë qysh para një viti, duke theksuar se qëllimi kryesor ka qenë që t’i ofrojnë Kosovës vizion në krye me Hamzën.
“Ka qenë një diskutim të cilin e kam fillu herët me z.Hamza tash një vit, kur për herë të parë e kemi diskutu dhe ka qenë i bazuar në qëllimin kryesor t’i ofrojmë Kosovës jo vetëm një personalitet apo vetëm një kryeministër, por t’i ofrojmë një vizion të cilit do t’i prijë z.Hamza”, ka thënë Krasniqi në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës është shprehur i bindur se Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.
“Kam bindjen time të plotë që z.Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm dhe këtë bindje ma forcon çdo ditë e më shumë ambienti, fryma, mobilizimi, mbështetja dhe besimi të cilin po e vërejmë në çdo cep të Kosovës, por edhe në mërgatë”, ka thënë Krasniqi.
I pyetur se cili do të jetë roli i tij nëse PDK fiton zgjedhjet, Krasniqi ka thënë se nuk ka ndonjë ambicie për të qenë në qeverisje, porse ka theksuar se do të vazhdojë ta udhëheqë partinë, për të cilën ka marrë besimin e bashkëpartiakëve, por edhe në kuvend.
“Unë s’kam asnjë plan, asnjë ambicie. Ambicia ime e vetme është që Bedri Hamza të jetë kryeministër. Z. Hamza është njeriu më i duhur me e udhëheq Qeverinë e Kosovës në aktualitetin të cilin jemi. Është më pak e rëndësishme se cili do të jetë roli im. Nuk kam asnjë plan dhe asnjë ambicie për të qenë në qeveri. Unë do ta udhëheq PDK-në dhe do të jem në kuvend”, ka shtuar Krasniqi.
Krasniqi në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun ka folur edhe për karrierën e tij politike dhe rrugëtimin në PDK.
“Unë nuk kam pik prej qiellit. Unë e kam një jetë në PDK. Njerëzit e Partisë Demokratike të Kosovës prej themeluesve dhe ish-udhëheqësve të luftës deri te strukturat e rinisë demokratike e të gjitha proveniencat në mes ma kanë dhanë besimin me udhëheq”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se në PDK qysh në fillimet e tij ka gjetur përkrahjen e pakontestueshme, për çka ka pasur pozicione të rëndësishme qoftë në legjislativ apo ekzekutiv.
“Unë nuk jam komandant i luftës por në PDK jam udhëheqës dhe lider që kam pasur mbështetjen e pakontestueshme. Për mu kjo është privilegji më i madh në jetën time politike, për çka kam pasur pozicione të rëndësishme qoftë në ekzekutiv apo legjislativ”, ka thënë ai.
I pyetur se pse PDK nuk i vendosi disa nga kryetarët e komunave në listën e deputetëve siç kanë vepruar partitë e tjera, Memli Krasniqi ka thënë se futja e tyre në garë dhe rikthimi i tyre në pozicione komunale nuk do të përçonte mesazh të mirë.
“Kryetarët e komunave e kanë pasur gatishmërinë, por kam besu që ne vërtetë duhet të jemi të sinqertë. Nëse i fusim në garë dhe ata pastaj kthehen në pozicionet e tyre komunale e nuk mbesin si deputetë, nuk jam i sigurt që kjo do të ishte mesazhi më i mirë”, ka thënë Krasniqi.
Ai nuk e ka konsideruar të drejtë vendimin për të kërkuar votën e qytetarëve, në mënyrë që kryetarët komunalë të zgjidhen për deputetë.
“Ne kemi zgjedhje lokale përsëri vitin e ardhshëm dhe nuk më duket e drejtë që t’ua kërkojmë votën për deputetë”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, sinqeriteti ndaj votuesve ka qenë gjithnjë bazament i qasjes së tyre në fushatë.
“Unë mendoj që sinqeriteti ndaj votuesve duhet të jetë bazament i qasjes tonë në fushatë. Qytetarët i kanë zgjedhur kryetarët aktualë për të qeverisur komunat e tyre dhe unë besoj që shumica e kryetarëve që rikandididohen dëshirojnë të rizgjidhen dhe ta marrin këtë besim edhe një herë”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në ‘Politiko’ me Kushtrim Sadikun ka folur edhe për vizitën që ka pasur së fundi me ish-krerët e UÇK-së Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin në Hagë.
“Unë ata i kam miq. Arsyeja se pse dëshiroj t’i takoj ata është se më merr malli për ta”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka theksuar se në të kaluarën ka pasur mundësi t’i shoh më shpesh, ndërsa tani me rregullat e ZPS-së vizitat janë bërë më të limituara.
“Fatkeqësisht ata kanë një restrikcion në këtë fiks një vit sa i përket vizitave dhe vizitat janë të limituara shumë, andaj edhe koha është zgjatur për të shkuar për t’i parë sepse në të kaluarën kam shkuar më shpesh”, ka thënë ai.
Krasniqi ka bërë të ditur se ish-krerët e UÇK-së kanë qenë mirë me shëndet dhe disponim, përkundër faktit që ndodhen prapa grilave.
“Ata janë jashtëzakonisht mirë, jo vetëm në kuptimin e shëndetit fizik, por janë shumë të mprehtë në një disponim të pabesueshëm përkundër faktit që janë prapa grilave”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, ai ka theksuar se shumica e akuzave të Dick Martyt kanë buruar nga Serbia.
“Është e vështirë në një proces, i cili vërtetë e ka një padrejtësi në mesin e fakteve kryesore që ka buru prej akuzave të çmendura të Dick Martyt, të cilat tashmë nuk janë pjesë as e aktakuzave. Kishte akuza çmendurake në anën e raportit të tij”, ka thënë Krasniqi
Teksa ka folur për tubimet në diasporë, ai ka theksuar se janë katër kandidatë për deputetë nga mërgata, ndër ta Ragip Xhaka dhe Isak Neziri.
“Unë kam qenë gjithmonë mbështetës që deputetët që vijnë nga mërgata janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës sepse ata janë burimorë apo organikë”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka folur për ndryshimin që ka pësuar PDK për tubimet partike në diasporë, duke thënë se në kohën e Hashim Thaçit, pas shpalljes së pavarësisë, tubimet nuk ishin parë të domosdoshme.
“Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2009 kur atëherë kryetari i PDK-së dhe kryeministri i vendit z.Hashim Thaçi e ka pasur një qëndrim për sa i përket organizimit të partive politike në diasporë, të cilin e ka diskutuar atëherë me kryetarin e LDK-së, Fatmir Sejdiun. Ka qenë një bindje që pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të ambasadave dhe me radhë, që nuk duhet të ketë degë të partive politike pasi mund të krijojnë përçarje, por ideja ka qenë që t’u jepet roli qendror ambasave tona”, ka thënë Krasniqi.
Por megjithatë, Krasniqi ka theksuar se ky qëndrim i PDK-së ka ndryshuar, pasi është parë rëndësia e votës së diasporës në vitin 2021, kur edhe ka fituar VV-ja.
“Nuk është bërë një akt solemn. E kemi pasivizu aktivitetin. Qëllimi ka qenë i mirë. Vite më vonë padyshim VV ka zënë një terren në të cilin ka punu gjatë, e për të cilin ne s’kemi pasur lojtarë. Nuk kemi pasur strukturë e as organizim”, ka thënë Krasniqi.
Sipas tij, PDK e ka parë të nevojshme riorganizimin dhe prezencën e tyre në mërgatë për të treguar vizionin dhe planet për Kosovën.
“Ndikimi i diasporës ka qenë shumë i madh në zgjedhjet e vitit 2021. Ka qenë vendimtar për rezultatin e VV-së edhe në kuptimin e votave me postë. Pastaj ne e kemi pa që vërtetë është e nevojshme të riorganizohemi për shkak se prezenca e jonë është e nevojshme për ta treguar vizionin”, ka theksuar ai.
I pyetur se a do të jetë Behgjet Pacolli pjesë e listës së PDK-së për deputet, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se është takuar me kryetarin e AKR-së, porse nuk kanë pasur dakordim.
“Unë nuk kam mundësi më shumë sesa t’ua konfirmoj se unë e kam taku z.Pacollin para se të dorezoheshin koalicionet dhe listat dhe kemi pasur një takim të vetëm”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, ai ka thënë se “vija të kuqe” nuk kanë për asnjë parti politike, ndërsa ka theksuar se me Pacollin nuk janë takuar më për çështjen e njëjtë dhe se tashmë ai ka lëvizur në një listë tjetër.
“Kemi mendime të ndryshme për disa çështje. Nuk ka pasur dakordësim meqënëse ju pat që aty pati një lëvizje me një listë tjetë. Në ndërkohë nuk jam taku më me z.Pacollin”, ka thënë ai.
Ai është ndalur edhe tek fjalimi vjetor i presidentes së vendit, Vjosa Osmanit e cila ndër të tjera ka thënë se shpeshherë është luajtur ‘bixhoz’ me aleatët, e që në opinion publik është marrë si “kunj” e drejtpërdrejt për qeverinë Kurti.
Krasniqi ka thënë se është vonë që Osmani të bëhet tashmë presidente e re në fund të mandatit.
“Është vonë me u bo presidente e re në fund të mandatit. Është një fjalë anglisht që i thonë ‘to little to late’, që i thonë shumë pak, shumë vonë”, ka thënë Krasniqi.
Sipas Krasniqit, Osmani gjatë mandatit të saj ka ndërmarrë veprime, por që e ka pasur pozicionin që të njëjtat t’i marrë në vazhdimësi.
“Unë besimin e kam pasë që zonja Osmani ka me lujt një rol më të fuqishëm edhe në ruajtjen e raporteve, por edhe në ruajtjen që në kushtetë e kemi të definuar si uniteti qytetar. Ka pasur momenti kur ka marrë veprime, por pozicionin e ka pasur shumë të favorshëm për me lujt rol në vazhdimësi”, ka thënë Krasniqi në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës është shprehur i bindur se nuk do të ketë më koalicion të PAN-it siç ka qenë në vitin 2017 në mes të Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.
“Unë nuk e shoh pushtetin kusur. Unë për veti e kam fundin te marrëveshja e PAN-it. Kam qenë i qartë prej ditës së parë që jam bërë kryetar se PAN ma s’ka. Unë kryetar i PDK-së, as motër as vëlla të PAN-it as kurgjo që doket si PAN-i nuk ndodh”, ka thënë Krasniqi në ‘Politiko’ me Kushtim Sadikun.
Sipas Krasniqit, PDK-ja është në garë për të marrë besimin e qytetarëve dhe se një koalicion i tillë nuk do të ishte në rregull.
“Na jemi në garë me marrë besimin e qytetarëve dhe me jua kërku një mundësi me na dhanë besimin për punë për ta. Momentin që na lypim punë për veti, menoj që na nuk jemi në rregull”, ka thënë Krasniqi.
Krejt në fund, Krasniqi ka folur edhe për grantet e dhëna nga Ministria e Bujqësisë për vëllain dhe dajën e Fitore Pacollit dhe refuzimin e të njëjtit për Fahrije Hotin.
“Turp me i ba pjesë të diskursit politik gratë e Krushës. Bash marre është. Ama hiç s’u dasht hiç”, ka thënë Krasniqi ndërsa nuk ka kursyer kritikat për ministrin Faton Pecin.
Ndryshe, më 9 shkurt të vitit 2025 do të mbahen zgjedhjet në Kosovë. Partia Demokratike e Kosovës garon me Bedri Hamzën për kandidat për kryeministër, Vetëvendosja me Albin Kurtin, Aleanca me Ardhmërinë e Kosovës me Ramush Haradinaj dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me Lumir Abdixhikun. /Gazeta10/