
Raporti: Artina Breznica
Deputetë të partive opozitare e njohës të ekonomisë kanë ngritur kritika për projektbuxhetin në vlerë prej mbi 3 miliardë eurove të miratuar një ditë më parë nga ana e qeverisë. Ata kanë thënë se ky projektbuxhet është jogjithpërfshirës dhe nuk parasheh ndarje të veçanta për Projektligjin për Paga, e as nuk e ka si prioritet sektorin energjetik.
Projektbuxheti në vlerë 3 miliardë e 212 milionë euro për vitin 2023, i miratuar të premten nga Qeveria e Kosovës po vlerësohet si jogjithpërfshirës.
Kjo pasi me këtë buxhet thuhet se nuk janë planifikuar ndarjet buxhetore të veçanta për Projektligjin për Pagat, e po ashtu si prioritet nuk është parë sektori energjetik.
Anëtari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, nga PDK-ja, Ferat Shala ka thënë se projektbuxheti duhet të jetë më i konsiliduar, e ndarjet buxhetore duhet të bëhen konform situatës së përgjithshme në shumë sektorë.
Ndërsa, ekspertë të ekonomisë kanë thënë se në buxhetin e vitit të ardhshëm duhet të përfshihen të gjitha zotimet e qeverisë.
Nga ekzekutivi kanë thënë se përmes këtij projektbuxheti do të mbështetet shëndetësia, arsimi, siguria, bujqësia e fusha të tjera që janë me prioritet në programin qeverisës. / Kanal10