
Raporti: Saranda Aliu, Kamera: Labeat Krasniqi.
Rreth 6 mijë biznese të gastronomisë rrezikojnë të mbyllen shkaku i krizës ekonomike në vend. Drejtues të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit kanë thënë të ardhurat gjatë sezonit të verës nga diaspora, i kanë ndihmuar vetëm që të stabilizohen financiarisht. Me krizë përballet edhe sektori i ndërtimtarisë, i cili nuk po arrin të furnizohet me kohë me materiale të ndryshme, shkaku i rritjet së kostos së importit.
Deri në fund të vitit shumë bizneseve mund t’i vihet dryni.
Përveç problemit me mungesë të punëtorëve, disa nga bizneset e gastronomisë ankohen edhe për humbje të klientëve.
Një nga faktorët sipas tyre është rritja e çmimeve të shërbimeve, e cila vjen shkaku i shtrenjtimit të produkteve në treg.
Sipas kryetarit të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, nga 18 mijë biznese aktive, 6 mijë nga to së shpejti priten të mbyllen, për çka i ka bërë thirrje qeverisë që sa më shpejtë të marr masa për t’i shpëtuar.
Megjithatë, nga kriza ekonomike nuk do të jenë imune as bizneset e sektorëve tjerë.
Përfaqësues të njërës nga kompanive që merren me ndërtimin dhe shitjen e banesave, kanë numëruar problemet me të cilat janë përballur gjatë kësaj periudhe.
Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, ka thënë se Kosova tradicionalisht përballet me problemet e njëjta ekonomike, derisa sipas tij mungesa e mbështetjes institucionale po e vështirëson edhe më shumë pozitën e bizneseve.
Shoqatat e bizneseve vazhdimisht kanë alarmuar për situatën e vështirë të bizneseve, duke i bërë thirrje disa herë qeverisë që të ndërmarrë masa për të mbështetur sektorët e ndryshëm, të cilët ishin edhe ashtu të dëmtuar nga pandemia COVID-19./Gazeta10