
Banorët e lagjes “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës ankohen se po ndihen të diskriminuar nga institucionet. Shqiptarët që jetojnë në këtë lagje thonë se kanë mungesë të asfaltimit të rrugës dhe të ndriçimit publik. Investime në këtë lagje kanë premtuar zyrtarë të Komunës së Mitrovicës.
Raporti: Saranda Alshiqi, Kamera: Aid Bërkolli.
Kjo është lagja “Kroi i Vitakut”, ndër të paktat ku jetojnë shqiptarët në veri të Mitrovicës.
Përveç problemeve tjera që i kanë shoqëruar ndërvite, banorët përballen edhe me gjendjen e rënduar të rrugës, që thonë se po u shkakton vështirësi të përditshme.
Deri në pjesën ku jetojnë serbët asfalti ka kohë që ka shkuar, por mungon nga zona ku banojnë shqiptarët.
Ata kërkojnë asfaltimin e rrugës, pasi thonë që përkohësisht janë detyruar që me mjete vetanake të gjejnë alternativa tjera.
Banorët thonë se kanë adresuar vazhdimisht kërkesa në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe atë të Jugut, por deri më tash nuk janë marr parasysh, pavarësisht premtimeve.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Ganit Tmava ka thënë se në disa pjesë të kësaj lagje u lejohen projektet, në disa të tjera është përgjegjësi e Mitrovicës së Veriut.
Sa i përket rrugës në lagjen “Kroi i Vitakut”, ai ka thënë se asfaltimin e saj e kanë në plan për vitin e ardhshëm.
Kjo rrugë ka rreth 15 shtëpi të banuara nga shqiptarët./Gazeta10