
Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në Bruksel, ku pritet të ndodh takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton Gazeta10.
Kurti sot është detyruar të dal në mes të takimit të Komitetit Ndërministror për të Drejtat e Fëmijëve – me rastin e Ditës Botërore për të Drejtat e Fëmijëve, duke thënë se do të udhëtojë jashtë vendit.
Edhe pse mbajtja e takimit u konfirmua të premten, momenti i saktë i takimit nuk u caktua pasi gjithçka varej nga disponueshmëria e palëve dhe aspektet logjistike.
Takimi mes palëve pritet të ndodhë në ditën kur sipas planit të Qeverisë parashihet të nis zbatimi i fazës së dytë për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, e cila parashe gjobë prej 150 euro. Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve.
Më 18 nëntor zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në një takim për të gjetur zgjidhje për targat ilegale serbe.
“Ne i kemi ftuar të dyja palët me urgjencë në Bruksel për të gjetur zgjidhje evropiane, një zgjidhje evropiane për situatën aktuale, e cila është ndër më seriozet prej vitit 2013 dhe ky është qëllimi – që t’i kemi në Bruksel për të diskutuar me ta zgjidhjen”, ka thënë Stano./Gazeta10.