Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka ngritur dyshime se Faton Bislimi i cili dha dorëheqje sot nga Kryesia e LDK-së, njëherësh kushëriri i parë i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka marrë rreth 150 mijë euro nga Qeveria Kurti.
Arifi ka publikuar disa dokumente në profilin e tij në Facebook, mbi të cilat ka shkruar se në llogarinë bankare të kushëririt të Besnik Bislimit kanë shkuar rreth 150 mijë euro nga pushteti i Kurtit nën arsyetimin për ‘lobim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Washington”.
Tutje, Arifi ka pyetur se përse parat e dedikuara për shqiptarët e Luginës kanë shkuar në adresë të Faton Bislimit.
Gazeta10 ka provuar të marrë një qëndrim nga Faton Bislimi lidhur me këto akuza, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
“Saherë që Qeveria Kurti ndante mjete për të ashtuquajturin “lobim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Washington”, mjetet financiare – rreth 150 mijë euro, derdheshin në llogarinë bankare të Faton Bislimit, familjarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Pse pikërisht fondet e dedikuara për shqiptarët e Luginës duhet të derdhen në llogarinë bankare të familjarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi? Si 150 mijë euro për 3 vizita?“, ka shkruar Arifi.
Postimi i plotë:
Saherë që Qeveria Kurti ndante mjete për të ashtuquajturin “lobim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Washington”, mjetet financiare – rreth 150 mijë euro, derdheshin në llogarinë bankare të Faton Bislimit, familjarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Më lejoni të theksoj se çdo ndihmë nga Qeveria e Kosovës për shqiptarët e Luginës është e nevojshme dhe e domosdoshme. Mirëpo, transparenca për taksapaguesit kosovarë, motrat dhe vëllezërit tanë në Republikën e Kosovës, asesi nuk duhet anashkaluar, ashtu si në vjedhjen klasike të 1.2 milion eurove të Fondit të Kosovës, të cilat tani i gjeni në xhepat e eksponentëve të Partisë për Veprim Demokratik; të deputetit në parlamentin serb Shaip Kamberi, si dhe kryetaren e degës së PVD-së në Preshevë, njëherit këshiltare e Kryeministrit Kurti, Ardita Sinani.
Por ajo çka do të doja të sqaroja më mirë është pse pikërisht fondet e dedikuara për shqiptarët e Luginës duhet të derdhen në llogarinë bankare të familjarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi?
Si 150 mijë euro për 3 vizita?
Apo pse këto vizita nuk janë paguar nga buxheti i Këshillit Kombëtar apo Komuna e Bujanocit, por pse jo edhe nga buxheti i Komunës së Preshevës? Personalisht do të isha i gatshëm ti ofroja ndihmë në këtë çështje.
Një shpjegim i shkurtur rreth dokumenteve të bashkangjitura:
1. Vendimi i Qeverisë Kurti për ndarjen e mjeteve në emër të Këshillit Kombëtar Shqiptar – i cili udhëhiqej nga partia e këshilltares së kryeministrit Kurti për Luginën e Preshevës, ku theksohet se mjetet financiare do të transferohen në llogarinë bankare të përcaktuar prej tyre.
2. Dokumenti ku ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi – bashkëpartiak i ngushtë i këshilltarës së Kryeministrit, ka pohuar se mjetet e Qeverisë Kurti janë derdhur tek “Washington International Affairs Institute”.
3. Dokumenti që tregon se “Washington International Affairs Institute” është në fakt një kompani L.L.C e regjistruar nga Faton Bislimi më 3 shtator të vitit 2021. Më interesant fakti është se si për kompaninë në fjalë është zgjedhur një emër thuajse i ngjajshëm me Institutin e themeluar në vitin 1961 me emrin “Washington Institute of Foreign Affairs” për të pasqyruar një seriozitet të kësaj kompanije të Faton Bislimit.