Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini foli mbi vendimin e miratuar një ditë më parë në këshillin bashkiak për tarifën 700 lekë (7 euro) për plazhet.
Mersini thotë se janë 15 mijë metër katror vijë bregdetare plazh publik që do të jetë falas. Në këto plazhe, sipas Mersinit, do të vendosen 350 çadra dhe shezlongë. Ajo thotë se krahas tyre do të ketë edhe plazhe publike pa çadra dhe shezlong ku qytetarët do të mund të vendosin çadrat dhe shezlongët personal.
Për sa i përket tarifës prej 700 lekësh (7 euro), Brunilda Mersini, kryetare e bashkisë së Vlorës, thotë se këto janë plazhe publike që do të menaxhohen me anën edhe të bashkëpunimit me privati.
Tarifa 700 lekë (7 euro) sipas saj është limiti.
“Pra bizneset private në ndryshim nga një vit më parë ku kishim çmime të ndryshme deri në 2 mijë lekë (20 euro). Këtë vit plazhet private do të shkojnë maksimumi në vlerën 700 lekë dhe jo më tepër”, u shpreh kryebashkiakja.
Tarifa prej 700 lekësh e plazheve private ka ngjallur shumë diskutime në Këshillin Bashkiak dhe në qytetin e Vlorës ditët e fundit./Top Channel




