Udhëheqësi i Demokracisë në Veprim, Ismet Kryeziu ka komentuar lajmet për bojkotimin e debateve politike nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kryeziu ka thënë se një bojkot i tillë nuk është paralajmëruar zyrtarisht dhe as nuk është deklaruar në ndonjë dokumentacion nga partia në pushtet.
Megjithatë, ai ka thënë se një veprim i tillë e dëmton procesin demokratik të zgjedhjeve.
“Bojkotimi i televizioneve nuk është veprim i mirë. Është cenim i të drejtës së qytetarëve për të votuar në mënyrë të informuar”, ka thënë Kryeziu.
Megjithëse e ka cilësuar të gabuar, Kryeziu ka thënë se mospjesëmarrja në debate është e drejtë e subjekteve politike.
“Kjo nuk i shërben qytetarëve. Është e drejtë e subjekteve politike që në strategjinë e tyre të përdorin kësi elemente të bojkotit. Është e drejtë, është strategji, por nuk është e mirë për demokracinë”, ka thënë ai në “Politiko”. /Gazeta10/