
Raporti:Arbenita Ilazi/Kanal10
Të dyshuarit për kryerjen e krimeve kundër popullatës civile gjatë luftës së fundit në Kosovë, Dragisha Milenkoviq i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se Milenkoviq, si ish-gardian i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë të tjerë të burgjeve në fjalë, kishin keqpërdorur autorizimet zyrtare.
“Pasi i kishin transferuar të burgosurit shqiptar nga burgu i Dubravës për në burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit dhe të dyshuarit kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte, shqelma etj, dhe pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç ‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime të rënda trupore, dhunë psikike, traumë dhe pasoja në shëndet dhe duke i kanosur seriozisht për jetë, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”. – Gjykata Themelore në Prishtinë
E kundër arrestimit të Milenkoviqit, është organizuar një protestë në Komunën e Graçanicës.
Ata mbanin pankarta në duar, duke kërkuar lirimin e tij, derisa për rreth 20 minuta kanë qëndruar para stacionit policor.
Ndërkaq, njëri nga ta tha se ka dal që në mënyrë paqësore të kërkojë lirimin e bashkëvendësit të tij.
Të mërkurën, Policia e Kosovës ka arrestuar Dragisha Milenkoviq, i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile për periudhën e luftës në Kosovë 1998-1999.
Arrestimi i tij është bërë në zonën e Graçanicës, derisa edhe një ditë më parë, për disa minuta serbët kanë protestuar para stacionit policor në këtë komunë.