Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: Çdo emër në listën e viktimave përfaqëson një jetë të humbur, Serbia duhet të hapë arkivat për krimet e luftës

Gazeta10
01 July 2026 - 17:11

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në takimin konsultativ të organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ku u diskutua versioni fillestar i listës preliminare të viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe plotësimet e nevojshme të saj.

Në fjalën e tij, Kurti tha se dokumentimi i krimeve të luftës dhe ndërtimi i një evidence shtetërore të besueshme për viktimat është një detyrë që lidhet me kujtesën, drejtësinë dhe dinjitetin e viktimave.

“Kjo detyrë e jona lidhet me kujtesën, me drejtësinë, me dinjitetin e viktimave dhe me mënyrën se si Republika e Kosovës e ndërton raportin e saj me të kaluarën dhe me të ardhmen. Populli ynë ka përjetuar luftë, dëbim, masakra, dhunë sistematike, zhdukje me forcë dhe shkatërrim të organizuar. Këto nuk janë kujtime të largëta dhe as tema që mund të mbyllen me kalimin e kohës. Janë fakte historike, politike dhe njerëzore që kanë përcaktuar jetën e mijëra familjeve dhe rrugën e shtetit tonë drejt lirisë”, tha Kurti.

Ai theksoi se krimet e kryera nga Serbia kërkojnë trajtim të vazhdueshëm institucional dhe se dokumentimi i tyre është i domosdoshëm për ruajtjen e së vërtetës.

“Krimet e Serbisë në Kosovë, karakteri dhe përmasat gjenocidale të dhunës shtetërore dhe përpjekja për ta zhbërë praninë shqiptare nga vendi ynë, kërkojnë trajtim serioz, institucional dhe të vazhdueshëm. Nuk mjafton që ne ta dimë çfarë ka ndodhur. Duhet ta dokumentojmë, duhet ta verifikojmë dhe duhet ta ruajmë. Duhet ta bëjmë të qasshme për drejtësinë, por edhe për brezat që do të vijnë pas nesh”, u shpreh ai.

Kurti rikujtoi se Qeveria e Kosovës e themeloi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë në nëntor të vitit 2023, duke vlerësuar se ky institucion do të ndërtojë mbi punën e bërë ndër vite nga organizata, studiues dhe familjarë të viktimave.

“Instituti është ndërtuar mbi atë bazë. Detyra e tij është ta forcojë, ta sistemojë dhe ta institucionalizojë këtë trashëgimi. Instituti përveç se është një strukturë shtetërore përfaqëson edhe ndërgjegjen tonë kolektive, duke kthyer dhimbjen në kujtesë, kujtesën në dëshmi, dëshminë si kusht për drejtësi dhe drejtësinë në themel të paqes. Shteti nuk mund të mbështetet vetëm në kujtesë individuale. Kujtesa është e çmuar, por ajo duhet të mbrohet me dokumente. Emrat, datat, vendet, dëshmitë, burimet, arkivat dhe provat duhet të lidhen në një sistem të besueshëm”, deklaroi ai.

Duke folur për listën preliminare të viktimave të luftës, Kurti tha se çdo emër përfaqëson një histori dhe se procesi i verifikimit duhet të jetë sa më i saktë.

“Takimi i sotëm ka rëndësi të veçantë, sepse prezantohet lista preliminare e viktimave të luftës në Kosovë. Kjo listë është rezultat i një procesi më shumë se dyvjeçar të mbledhjes, krahasimit dhe verifikimit të të dhënave. Secili emër në këtë listë përfaqëson një jetë të humbur, një familje të goditur dhe një pjesë të historisë sonë. Prandaj, çdo e dhënë duhet të trajtohet me kujdes. Respekti ndaj viktimave nuk shprehet vetëm me fjalë; shprehet edhe me seriozitetin me të cilin shteti i dokumenton emrat, rrethanat dhe të vërtetën për fatin e tyre”, theksoi kryeministri në detyrë.

Kurti kërkoi që Serbia të përballet me të kaluarën dhe të hapë arkivat për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Kosova është e përkushtuar për paqe, për siguri dhe për bashkëpunim rajonal. Mirëpo, paqja e qëndrueshme kërkon ballafaqim me të vërtetën. Serbia duhet të përballet me krimet e kryera në Kosovë, të hapë arkivat dhe të veprojë në frymën e pendesës e të bashkëpunimit. Republika e Kosovës do të vazhdojë ta bëjë pjesën e saj me seriozitet. Do të dokumentojë, do të hulumtojë, do të vërtetojë dhe do ta ruajë kujtesën shtetërore mbi bazën e fakteve. Synimi ynë është i qartë: ajo që ka përjetuar populli ynë duhet të ruhet me dinjitet, të dokumentohet me saktësi dhe të shërbejë për drejtësi, të bëhet dije për brezat në vijim dhe kujtesë kolektive e jona”, shtoi Kurti.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.