
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Muratin, sonte kanë kreun e BSKPK’së, Atdhe Hykollin, në një takim që s’ka prodhuar rezultate, raporton Gazeta10.
Në njoftimin e kryeministrisë thuhet se është diskutuar një orë për grevën e shpallur nga BSPK-ja.
Tutje, thuhet se Kurti e ka njoftuar kreun e BSPK-së për Projektligjin e Pagave për Sektorin publik.
“Për më shumë se një orë u diskutua për grevën e shpallur nga BSPK-ja, për kërkesën sindikale për shtesën prej 100 euro dhe për veprimet e deritanishme të Qeverisë në trajtimin e kërkesave tjera paraprake të sindikatave. Kryeministri Kurti e njoftoi z. Hykolli se Projektligji për Pagat e Sektorit Publik këtë javë ka përfunduar fazën e konsultimeve paraprake dhe se gjatë javës që po vjen do të dalë në konsultime publike, teksa e ftoi BSPK-në që të bëhet pjesë e këtyre konsultimeve”, thuhet në komunikatë.
Më tej, është thënë se në takim është përmendur edhe disa veprime të Qeverisë së Kosovës që lidhen me gjendjen ne arsim.
“Si dëshmi mori vendimet e MAShTI-t për të ndarë 1.7 milionë euro për 300 mësimdhënës me probleme shëndetësore, për buxhet shtesë për mësimdhënësit që kualifikohen si tepricë ashtu që mos të mbesin pa punë, trajtimin e barabartë të mësuesve klasorë dhe lëndorë në arsimin e mesëm të ulët, eliminimin e padrejtësive ndërmjet të gjitha kategorive të punëtorëve të arsimit dhe renditjen e mësimdhënësve me koeficientin më të lartë ndonjëherë sipas projektligjit të ri”, thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se punëtorët e arsimit dhe ata të shërbimit civil janë në grevë në nivel vendi, meqë Qeveria e Kosovës nuk ka plotësuar kërkesat e tyre. / Gazeta10.