
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar të hënën për situatën në veri me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.
Sipas kryeministrisë, palët kanë biseduar për rëndësinë e uljes së tensioneve në veri, si dhe për punën e Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it, në garantim të sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
”Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim sot në mëngjes Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad. Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit në tre komunat në veri të vendit pas ditës së parë të punës së kryetarëve të rinj dhe dhuna e shkaktuar ndaj ushtarëve të KFOR-it, policëve të Kosovës dhe gazetarëve nga grupe ekstremiste serbe. U pajtuan për rëndësinë jetike të de-eskalimit të situatës. Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt.”, thuhet në komunikatën e tyre.
Në njoftim bëhet e ditur se ata u dakorduan edhe për zbatimin e Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj, shkruan Gazeta10.
”Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen. U theksua gjithashtu nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj.”, thuhet atyre.
Kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin dhe zëvendësambasadorin për interesimin e vazhdueshëm të Francës dhe Gjermanisë si dhe kontributin e tyre./Gazeta10