
Gazetari Kreshnik Gashi ka ndarë sonte, në emisionin “Adresa” në Kanal 10, detaje lidhur me rastin tragjik në Pejë, duke ngritur pikëpyetje për reagimin e policisë dhe mënyrën se si janë trajtuar personat e përfshirë në rast.
Sipas Gashit, viktima e kishte telefonuar policinë rreth orës 16:00, duke raportuar se kishte probleme në shtëpi. Megjithatë, sipas tij, policisë i ishin dashur një orë e dhjetë minuta për të arritur në vendin e ngjarjes, për shkak të mungesës së veturave.
Ai bëri të ditur se, pas mbërritjes së policisë, personat e përfshirë në rast ishin shoqëruar në stacion policor, përfshirë viktimën dhe një vajzë të mitur. Ai theksoi se burri nuk ndodhej në vendin e ngjarjes në atë moment.
Gashi shtoi se rasti ishte përmbyllur me një shënim zyrtar, ku, sipas tij, ishte konstatuar se nuk kishte elemente të tjera për t’u trajtuar, përveç përcjelljes së çështjes te prokurori.
Një tjetër detaj i rëndësishëm që ai përmendi ishte mënyra se si policia kishte vepruar në stacion. Sipas tij, tre personat e shoqëruar ishin vendosur në dhoma të ndara dhe ishin intervistuar veçmas, në cilësinë e dëshmitarëve.
Ai bëri të ditur se policia kishte dështuar të identifikonte se kush ishte ankuesi në këtë rast.