
Ish-deputetja e Nismës, Arbëreshë Krasniqi, ka bërë thirrje për më shumë mbështetje dhe fuqizim të vajzave e grave, pas rasteve të fundit që kanë tronditur vendin.
Krasniqi në Politiko theksoi rëndësinë e arsimimit, informimit dhe krijimit të mundësive që vajzat të bëhen pjesë aktive e shoqërisë dhe të kontribuojnë në fusha të ndryshme.
“Duhet të stimulohen gratë dhe vajzat tona që të shkollohen. Duhet të fuqizohen, të bëhen të pavarura dhe të kontribuojnë. Kjo vlen për vajzat, por edhe për gjininë tjetër, që të vetëdijesohen dhe të shkollohen sa më shumë”, u shpreh ajo.
Ajo nënvizoi se informimi dhe vetëdijesimi janë thelbësore që vajzat të kuptojnë të drejtat e tyre dhe rrethanat në të cilat jetojnë.
“Është tepër me rëndësi që vajzat dhe djemtë ta kuptojnë saktë se në çfarë rrethanash po e zhvillojnë jetën e tyre”, deklaroi Krasniqi.