Kontaktoni

info@gazeta10.com

Opinion 10

Muret që ti i quan “copë burgu”, mbajnë gjakun e shqiptarëve që paguan lirinë, në emër të së cilës sot ndërtohen objektet moderne!

Gazeta10
28 October 2026 - 21:12
Asdren Agushi

Të lexosh diçka të tillë nga një ish-kryesues i Kuvendit Komunal të një qyteti jo të vogël, por me një histori të madhe dhe të lavdishme siç është Gjilani, është turpi më i madh që mund t’i ndodhë një vendi me traditë dhe kulturë të lartë.
Nëse për z. Kadriu, burgu famëkeq për shqiptarët është thjesht një mbetje e së kaluarës, për mua dhe shumë të tjerë është një histori, sado e dhimbshme të jetë, sepse aty janë maltretuar dhe keqtrajtuar deri në vdekje baballarët dhe familjarët tanë.
E të dalësh sot dhe ta quash “…një copë burgu të vjetër në oborr!”, më bën të ndihem i turpëruar nga ti si qytetar i këtij qyteti, e aq më tepër si njeri që ke drejtuar një institucion ku janë marrë vendime për të ardhmen e tij.
Ta ngresh pyetjen për vlerën historike të këtij burgu, duke e vënë në dyshim dhe krahasim, rëndësinë e tij me arsyetimin se aty kanë qëndruar edhe persona të dënuar për vepra të ndryshme penale, është më shumë se turp. Kjo është një logjikë e dëmshme për brezat që vijnë. Më falni për gjuhën, por kjo është një logjikë e neveritshme!
Këtë pyetje mund t’ia shtrosh vetes, z. Kadriu, por jo atyre që i kanë parë familjarët e tyre të dalin nga ai burg të gjymtuar nga torturat, deri në atë pikë sa mezi i kanë njohur.
Po të tregoj diçka që nuk e kam përmendur deri më sot.
Menjëherë pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, kur në burgun e Gjilanit ishin të vendosura forcat amerikane, si gazetar kërkova ta vizitoja burgun dhe t’i xhiroja me kamerë ambientet dhe qelitë ku kishte qëndruar edhe babai im.
Aty, në atë vend të tmerrit, muret ende mbanin njolla të freskëta gjaku të shqiptarëve që ishin torturuar aty.
Dhe sot, pas gjithë kësaj historie, del ti, Kushtrim Kadriu, dhe e quan atë “një copë burgu të vjetër”, apo ngre dilema për vlerën e tij historike, duke pyetur:
“Çfarë vlere të veçantë historike ka kjo pjesë e burgut? Përveç të burgosurve politikë…”
Kjo është turp i turpit!
Historia nuk matet me bukurinë e mureve, as me harmoninë arkitektonike të një ndërtese moderne. Ajo matet me atë që ka ndodhur brenda atyre mureve, me vuajtjet e njerëzve, me gjakun e derdhur dhe me kujtesën që ua kemi borxh brezave që vijnë.
Një qytet që harron historinë e vet, sado modern të bëhet, rrezikon të mbetet pa shpirt.
Z. Kadriu, jep dorëheqje nga politika dhe tërhiqu nga jeta publike. Nuk je për këtë punë.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Opinion 10
22 October 2026
Opinion 10
19 October 2026
Opinion 10
22 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.