Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Reshitaj zbardh detaje për rastin e Hamide Magashit: Katër zyrtarë policorë, përfshirë komandantin, u kthyen në punë pas suspendimit

Gazeta10
28 October 2026 - 21:07

Albulena Reshitaj, e ftuar në emisionin “Politiko”, ka rikthyer në vëmendje rastin e Hamide Magashit, e cila u vra më 30 nëntor 2022 në oborrin e QKUK-së, derisa po priste të lindte fëmijën e saj.

Reshitaj foli për përgjegjësinë institucionale në këtë rast, duke përmendur suspendimin e katër zyrtarëve të Stacionit Policor në Lipjan, përfshirë komandantin e stacionit, një rreshter policor, një hetues të dhunës në familje dhe një hetues të krim-teknikës, sipas të dhënave që ajo paraqiti në emision.

Ajo e cilësoi këtë rast si një zinxhir dështimesh institucionale, duke ngritur pikëpyetje për veprimet e zyrtarëve dhe përgjegjësinë e institucioneve pas vrasjes së Magashit.

“Paramendoni çfarë zinxhiri dështimi: komandanti, hetuesi dhe hetuesi i krim-teknikës. Këta dy hetues kishin plotësuar një formular kinse e kishin monitoruar urdhrin e mbrojtjes të gjykatës ndaj të ndjerës. Pasi ajo vdiq, u munduan ta arsyetonin vetveten”, deklaroi Reshitaj.

Ajo përmendi gjithashtu veprimet e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili, sipas saj, më 17 mars kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj zyrtarëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Reshitaj ngriti shqetësime edhe për ndërprerjen e suspendimit të zyrtarëve, pasi IPK-ja kishte përfunduar veprimet hetimore, duke vënë në pikëpyetje mesazhin që institucionet u përcjellin grave që kërkojnë mbrojtje nga dhuna.

“Paramendoni, si mund t’u themi grave në këtë vend se shteti ka me u dalë në ndihmë, nëse pas kaq kohe zyrtarët kthehen në punë? Çka nëse dalin vërtet fajtorë?”, u shpreh Reshitaj në “Politiko”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.