Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: Kemi gjetur armatim mbi 5 milionë euro në veri, të ekstradohen ata që ikën tinëzisht malit

Gazeta10
30 Shtator 2023 - 11:51

Kryeministri, njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, iu drejtua bashkë partiakëve të tij në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm që u mbajt sot (30 shtator) në Prishtinë.

Para të pranishmëve, ai tha se kanë gjetur armatim në vlerë mbi 5 milionë euro ndërsa përsëriti kërkesën që terroristët që u larguan nga Kosova, të ekstradohen për t’u ballafaquar me drejtësinë.

Kurti tha se grupi terrorist kishte ardhur me një skenar të tyre të cilin me sukses iu përgjigj Policia e Kosovës duke i eliminuar tre terroristë, arrestuar disa të tjerë dhe duke vazhduar përndjekjen e atyre që ikën.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se është e qartë që e gjithë mbështetje logjistike, në armatim e trajnim ishte nga Serbia.

Kryeministri u shpreh se Policia e Kosovës tashmë ka vendosur sigurinë dhe paqen në pjesën veriore të vendit tonë, ndërsa ka shpërndarë mbi 100 pako ushqimore që plotësojnë nevojat bazike te banorët serbë që jetojnë në Banjskë.

Kurti duke falënderuar qytetarët e Banjskës për qetësinë e tyre, theksoi se gjatë operacionit policor nuk është lënduar dhe plagosur asnjë civil.

Për shtetin serb ka kërkuar që ata që ikën tinëzisht malit, të ekstradohen në Kosovë, ndërsa për ndërkombëtarët që dy organizata veriore “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” të shpallen terroriste.

Duke u ndalur të ruajtja e kufirit, Kurti tha se eksiton një zotim që Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë atje, prandaj kërkojnë që ky vakum të mbulohet nga forcat e NATO-s.

Kurti tha se Kosova është vendi me më së paku kriminalitet në Ballkanin Perëndimor, për dallim nga Serbia ku kriminaliteti është i lartë. Ai tha se Kosova gjithmonë do të ngadhënjejë ndaj Serbisë sepse “ne kemi Afrimin kurse ata krimin”.

Kurti u zotua se urrejtjes, krimit dhe terrorit ndaj Kosovës, shqiptarëve, Republikës e qytetarëve do t’i përgjigjemi me forcën e ligjit dhe drejtësinë e shtetit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.