
Raporti: Arta Mustafa
Kryeministri i vendit Albin Kurti të premten ka pritur në zyrën e tij ambasadorët e shteteve të QUINT-it. Takimi erdhi një ditë pas vizitës surprizë të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Kurti deklaroi se Kosova mbetet konstruktive në dialog dhe marrëveshjet e arritura duhet të zbatohet sa më shpejt nga ana e Serbisë.
Një ditë pas vizitës në Kosovë të emisarit të Posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, në Prishtinë – në zyrën e kryeministrit Kurti të premten janë shfaqur amabsadorët e shteteve të QUINT-it.
Në këtë takim, nga zyra e kryeministrit kanë njoftuar se është diskutuar për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë, derisa Kurti ka përmendur nevojën që BE-ja të mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e marrëveshjes.
“Në takim u diskutua për procesin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe Aneksin e Zbatimit nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel dhe ai i 18 marsit në Ohër ndërmjet të dyja shteteve. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi theksuan se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Zbatimit duhet të zbatohen pa kushte, pa vonesa dhe në mënyrë të plotë. Gjithashtu, u përmend nevoja që BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme që po i bën marrëveshjes”, thuhet në njoftim.
Përtej kësaj, kryeministri Albin Kurti është zotuar se Kosova mbetet palë konstruktive dhe kreative në dialog.
Sipas tij, Kosova do të donte përshpejtim të procesit të dialogut dhe zbatim të marrëveshjeve të arritura.
“Ne po investojmë në përpjekjet për të fituar besim në mes të partnerëve. Të gjitha vendet kanë të drejtën për të ndjekur rrugën evropiane. Ne do të donim shpejtim të dialogut, dhe implementim të marrëveshjeve të arritura deri më tani. E gjitha puna e bërë nga Prishtina dhe Beogradi duhet të përmendet, të gjitha janë përbërës kryesor për të arritur stabilitet”, tha Kurti.
Ndërkaq, lidhur me takimin e fundit mes palëve, ai tha se në Bruksel u trajtua me urgjencë çështja e të pagjeturve, për çka theksoi se janë dakorduar për këtë temë me Serbinë.
“Për dialog, jemi të përkushtuar dhe konstruktiv. Takimi i 2 majit përfundoi me një shënim pozitiv ku u pajtuam për Deklaratën për të pagjeturit, ne e kemi trajtuar këtë çështje me urgjencë sepse familjet kanë pritur shumë gjatë. Kosova po bën hapat e duhur për rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian”, tha Kurti.
Ndryshe, gjatë qëndrimit në Kosovë, Lajçak ka thënë se vëmendja e palëve në dialog duhet të jetë plotësisht në normalizim dhe implementim të marrëveshjeve të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Ai pasdite e kaloi në qytetin e Mitrovicës, ku pos takimeve me krerët lokal në dy pjesët e qytetit, zhvilloi edhe një bashkëbisedim me shoqërinë civile në veri. /Gazeta10/