Duhet Lexuar

Kurti në ekspozitën për Holokaustin: Gjenocidi ndaj romëve shpeshherë është lënë në harresë

Gazeta10
10 Maj 2023 - 19:48

Një ekspozitë për Holokaustin do të qëndrojë e hapur nga sot deri më 30 maj në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Përmes prezantimit të objekteve, fotografive dhe elementeve të tjera që pasqyrojnë holokaustin ndaj romëve, kjo ekspozitë e cila po shfaqet për herë të parë, synon të rrisë ndërgjegjësimin për atë që kishte ndodhur.

Në ekspozitën e cila është punuar nga organizata “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, në bashkëpunim me Ministrinë Kulturës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se romët dhe sintët nuk ishin vetëm viktima, por edhe shembuj rezistues.

“Gjenocidi ndaj tyre është lënë shpesh herë në harresë, kaq shumë sa që historianët i njohin ata si viktimat e harruara të holokaustit. Andaj kjo ekspozitë që po hapet ka një rëndësi përtej kufijve të Kosovës, është pjesë e përpjekjeve të reja në mbarë botën për të dokumentuar në hollësi gjenocidin ndaj romëve dhe sintëve që të mos harrohet kurrë. Për sa i përket numrit të saktë të viktimave romë dhe sintë në holokaust shifrat e historianëve dallojnë, por të gjithë pajtohen se pasojat e holokaustit për popullatën e tyre kanë qenë shkatërruese. Nazistët me bashkëpunëtorët e tyre eliminuan më shumë se gjysmën e popullatës rome dhe sinte në Evropë. Mes këtyre viktimave ishin mijëra persona të vrarë brenda një nate të vetme me 2 gusht të vitit 1944. Me gjithë këtë romët dhe sintët e asaj periudhe të errët nuk ishin vetëm viktima ishin vetëm viktima të projektit gjenocidal të Hitlerit, ishin edhe shembuj frymëzues të rezistencës ndaj këtij projekti”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se duhet dyfishuar përpjekjet për luftimin e diskriminimit ndaj romëve dhe sintëve.

“Në fakt diskriminimi ndaj fëmijëve romë në shkolla fillore ka qenë objekt shqyrtimi, në disa prej rasteve më të rëndësishme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në fushën e barazisë para ligjit, këto raste tregojnë sa i përhapur është diskriminimi. Mund të na duket neve se ka shumë pak gjasa të ndodhë një gjenocid ndaj romëve dhe sintve në Evropë, mirëpo për të siguruar që të mos ndodhë më kurrë, çdo shoqëri evropiane duhet të dyfishojë përpjekjet e veta për ta luftuar diskriminim ndaj romëve dhe sintëve. Qeveria ka ndërmarrë disa hapa konkret në ketë drejtim, përkatësisht për komunitet romë, ashkalinjë, egjiptas, njëjtë si në çdo komunitet në vendin tonë, konsiderojmë se ata janë të Kosovës dhe se Kosova është po ashtu edhe e atyre”, ka thënë ai.

Ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se është dashur të kalojë një kohe e gjatë që Gjermania t’i njohë krimet ndaj sintëve.

“Mbi gjysmë milioni janë vrarë në Gjermani, por edhe në gjithë Evropën, humbje e madhe, dua të dënoj historinë tonë. Gjermania naziste për një kohë të gjatë nuk i ka njohur krimet ndaj romëve. Kemi pasur fushata por duhet të jemi më të mirë në krijim të shoqërisë gjithëpërfshirëse dhe të kuptojnë çfarë është e drejtë dhe njerëzore. Një Evropë gjithëpërfshirëse, Evropë që nxit respektin për të gjitha pakicat, vetëm kështu mund të jetë Evropë gjithëpërfshirëse”, Rohde.

Drejtori i bordit të organizatës joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, Bashkim Ibishi ka thënë se ka ende hapësirë për të bërë më shumë për komunitetet.

“Për ata që janë romë dhe e njohin himnin, bazën apo themelin e ka pas në atë që duhet të njihet gjenocidi ndaj romëve dhe duhet të trajtohen aspektet e pabarazisë. Sa i përket komunitetit romë, ashkalinj dhe egjiptas, mundemi të bëjmë edhe më shumë. Bëhet më shumë vetëm me vullnetin e të gjitha palëve që jemi këtu prezent”, ka thënë Ibishi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.