
Kritika të shumta i janë adresuar kryeministrit të vendit dhe njëherësh kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit për mbajtjen e një tubimi me të rinj të dielën në një klub nate në Prishtinë, përkundër që të shtunën kishte ndodhur një ngjarje tragjike në Jabllanicë të Gjakovës.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i ka cilësuar si skena të pahijshme ato të kryeministrit Kurti.
Sipas Limajt, përgjegjësia në këtë rast do të duhej të ishte më e madhe, ngaqë Kurti nuk është vetëm kryetar partie por edhe kryeministër vendi.
“Shumë skena të pahijshme. Ajo ishte shumë e pahijshme edhe nga pozicioni i kryeministrit sepse nuk është thjesht kryetar partie, por është edhe kryeministër”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se partia e tij bashkë me AAK-në i kanë kufizuar tubimet elektorale pikërisht për shkak të ngjarjes në Jabllanicë.
“Është dashur të shmanget ajo çka kemi parë mbramë. Ne i kufizuam aktivitetet tona dhe pritëm që të jetë ditë zie, por kjo s’do të thotë që duhet me festu. Edhe aktivitete duhet me pasë një lloj marifeti në raste të tilla”, ka thënë Limaj në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Ndryshe, tre fëmijë kanë ndërruar jetë më 1 shkurt si pasojë e shembjes së një objekti të vjetër në Jabllanicë të Gjakovës. /Gazeta10/