
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Samitin e gjashtë të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet në Tiranë.
Pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përfaqësuesit e rajonit dhe Komisioneren Evropiane, Marta Kos, Kurti ka thënë se diskutimet u përqendruan në reformat dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian.
Kurti ka theksuar se zgjedhjet e përsëritura në Kosovë kishin ngadalësuar ritmin e reformave, por sipas tij, me stabilitetin institucional ato janë përshpejtuar.
Ai ka bërë të ditur se Kosova do t’i përmbushë të gjitha reformat, përfshirë edhe ato për të cilat fondet janë humbur.
Kryeministri ka përmendur edhe pesë marrëveshjet e mobilitetit të ratifikuara nga Kosova, duke kritikuar Serbinë për mosnjohjen e diplomave kosovare.
Në fund, Kurti ka përsëritur kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Kosova e ka fituar këtë hap me meritë. Ka qenë gjithmonë e rëndësishme, tani është urgjente”, ka shkruar Kurti.