10 LIVE

Kurti në takim me Cholletin: Dialogu me Serbinë të ketë njohjen reciproke në qendër

Gazeta10
11 Janar 2023 - 18:58

Zyra e Kryeministri të Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka dhënë detaje për takimin e sotëm të kryeministrit me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili sot po qëndron në Kosovë në kuadër vizitës së tij në rajon.

Në njoftimin e tyre thuhet se temë diskutimi ishte edhe procesi i dialogut dhe raportet e Kosovës me Serbinë, duke shtuar se është theksuar që marrëveshja finale të përfshijë njohjen e Serbisë.

“U diskutua edhe për procesin e dialogut, planin Evropian dhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U theksua nevoja për angazhim aktiv dhe konstruktiv në dialog dhe për intensifikim të përpjekjeve drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër.”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti e njoftoi Chollet edhe me punën dhe arritjet e qeverisë në vitin që sapo lamë pas.

“Ai ndau me të indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë në vend, dhe nënvizoi qëllimet e përbashkëta për zhvillim dhe demokratizim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner dhe aleat i domosdoshëm i Republikës së Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, teksa vuri theksin te synimet e vendit për partneritet edhe më të fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe integrim në NATO.”, shkruhet në komunikatë.

Në takim Chollet ishte i shoqëruar nga dërguari i posaçëm amerikan, Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtës për Politika Evropiane dhe NATO, Spencer Boyer, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, Shefja e Stafit të Këshilltarit Chollet, Laura Updegrove, Ndihmësja e posaçme e Këshilltarit, Dr. Florence Akinyemi dhe Këshilltarja e Politike dhe Ekonomike në Ambasadën amerikane në Kosovë, Ralan Hill.

Kurse Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, Ushtruesja e Detyrës së Kryesueses së Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE, Mimoza Kusari Lila, Shefi i Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, Këshilltari Politik i Kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin e Lartë, Chollet për vizitën, komunikimin e vazhdueshëm dhe për angazhimin e tij./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.