
Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë plenare ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke raportuar lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, zhvillimet e takimet që kishte me emisarët ndërkombëtarë lidhur me një marrëveshje mes dy vendeve.
Para deputetëve, Kurti deklaroi se në takimin e 20 janarit në Prishtinë, emisarët ndërkombëtarë ia bënë të qartë se ky propozim është shumë afër formatit merre ose leje.
“Më 20 janar 2023, emisarët ndërkombëtarë që e shoqëruan ndërmjetësuesin Lajçak, pra emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa qëndrime në këtë takim të fundit. Ata ma bënë të qartë se propozimi kryesor është pranë formatit ‘leje ose merre’. Nuk do të lejohet negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve nga vini emisarët, është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta”, u shpreh ai.
Kurti ka raportuar detajisht duke treguar qartazi se çfarë iu kërkua në çdo takim, por duke i theksuar përsëri qëndrimet e tij se plani evropian është i pranueshëm pasi që nuk përmendet askund krijimi i Asociacionit, ndërkohë që për themelimin e një të tillë ka thënë se nuk do të bëhet pa u plotësuar ‘’gjashtë pikëshi i tij’’, raporton Gazeta10.
“E para pranimi i propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare në raport me Serbinë. Si dy shtete që i njohin shtetësinë njëra tjetrës defacto, plani evropian nuk ka asnjë referencë për krijimin e Asociacionit edhe pse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre, dhe e treta hapi kryesore ku do të lindin pyetjet më serioze për Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimi, aty qëndrimi im është se Asociaiconi mund të konsiderohet nëse do të plotësohet gjashtë pikëshi apo gjashtë kushtet që i kam paraqitur këtu para juve një javë më parë.”, ka thënë kryeministri Kurti.
Para kryeministrit, ishte lideri i PDK-së ai i cili e morri fjalën dhe i tha Kurtit se marrëveshja me Serbinë nuk është çështje mes teje e Vuçiqit andaj duhesh të jesh transparent.
Për këtë Kurti tha se njëra nga pikat që kanë rënë dakord kur i është prezantuar plani evropian ka qenë mbajtja sekret deri sa të ketë diçka konkrete për negocim.
Ai tregoi se diplomatët i kishin thënë se shtetet e tyre janë vënë në mbështetje të Kosovës, duke e paralajmëruar për pasojat nëse refuzohet propozimi.
“Dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatikë për Kosovën dhe do të kriijojë dobësim serioz të mirëbesimit”, tha Kurti./Gazeta10