
Raporti: Kanal10
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se për një marrëveshje përfundimtare me Serbinë nuk nevojiten vite, por fare pak muaj. Ai ka thënë se një gjë e tillë mund të arrihet para pranverës së vitit të ardhshëm. Kurti ka komentuar edhe fyerjet e presidentit serb. Derisa, për gjuhën e Vuçiqit kanë reaguar edhe nga BE-ja.
Për një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk nevojiten vite, por fare pak muaj.
Kështu ka thënë kryeministri i vendit, Albin Kurti, teksa ka folur për afatin e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet të dyja shteteve.
Ai ka thënë se një gjë e tillë mund të bëhet para pranverës së vitit të ardhshëm.
Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se nuk ka përgjigje të re.
Kreu i ekzekutivit kosovar u është përgjigjur edhe fyerjeve të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili Kurtin e ka quajtur “llum terrorist”, pas emërimit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës.
Për gjuhën e përdorur të Vuçiqit kanë reaguar edhe nga Bashkimi Evropian, duke bërë që të ketë përmbajtje nga retorika nxitëse.
Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu referuar emërimit të Rashiqit, ka thënë se sipas vlerësimeve preliminare, emërimi i tij nuk ka qenë në përputhje me kushtetutën.
“Ne si komunitet i 27 vendeve presim nga të gjithë partnerët që të sillen në mënyrë evropiane, e kjo përfshin edhe Serbinë edhe Kosovën. Kjo nënkupton përmbajtje nga deklaratat nxitëse. Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.
Serbia e ka konsideruar shkelje vendimin e Kurtit duke thënë se Rashiqi nuk përfaqëson serbët e Kosovës.
Të enjten, Rashiq është emëruar ministër në vend të Goran Rakiq, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.
Ndryshe, në një intervistë ekskluzive për Kanal10, të enjten, i dërguari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar edhe një vizitë javën e ardhshme në Prishtinë e Beograd, për të shtyrë tutje procesin e dialogut dhe për të organizuar takimin e radhës, Kurti-Vuçiq. / Kanal10