Kampioni i Kosovës, Ballkani u prit sot në ambientet e Qeverisë së Kosovës nga kryeministri Albin Kurti.
Kurti përgëzoi Ballkanin për punën që po e bën, duke e cilësuar jo vetëm si sukses shtetëror por edhe si motiv për djemtë dhe vajzat e reja të Kosovës, për t’i ndjekur ëndrrat e tyre.
Gjithashtu, Kurti dhe ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku u shfaqën të hapur për ta mbështetur Ballkanin, pasi rrugëtimi i suksesshëm në Evropë, ka forcuar në përgjithësi futbollin e Republikës, duke u përfaqësuar tani me katër skuadra në Evropë.
Ndërkaq, presidenti i Ballkanit, Arsim Kabashi i bëri dhuratë Kurtit fanellën e Ballkanit të personalizuar me emrin e tij, teksa premtoi që do të vazhdohet me intensitet edhe më të lartë të punohet në vazhdim, në mënyrë që Kosova të përfaqësohet gjithmonë sa më dinjitetshëm nga kampioni i saj.
Në fund, futbollistët e Ballkanit i bënë edhe një dhuratë kryeministrit, duke ia nënshkruar topin e kompeticionit ku dy herë garuan në grupet e UEFA Ligës së Konferencës.