Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti pret shefin e diplomacisë zvicerane, flasin për avancimin e marrëdhënieve mes dyja vendeve

Gazeta10
05 November 2026 - 16:26

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesin e OSBE-së, Ignazio Cassis, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin bilateral, mbështetjen zvicerane dhe proceset integruese.

Kurti ka bërë të ditur në Facebook se takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së Cassis në Kosovë, në kapacitetin e tij të dyfishtë.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, në zhvillim dhe demokratizim.

Ai e ka falënderuar Cassis-in edhe për zgjatjen e mandatit të Swisscoy dhe rritjen e numrit maksimal të ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it.

“Me hyrjen në fuqi të EFTA-s muajin e kaluar shënon një kapitull të ri në tregtinë e lirë, përveçse të mallrave edhe të shërbimeve”, ka shkruar Kurti, duke theksuar avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për rolin e Zvicrës në proceset integruese të Kosovës, si dhe për zbatimin e standardeve të barabarta në raportimin e OSBE-së dhe përfaqësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Kurti ka bërë të ditur se Cassis e ka ftuar në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit të ardhshëm.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.