
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përsëri pas votimit në zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, ku ka thënë se ata duhet të bëhen më të mirë se vetja, raporton Gazeta10.
Kurti ka thënë se ata janë përcaktuar për udhëheqje progresiste për katër vjetët e ardhshme.
Ai ka përmendur edhe garën për drejtimin e rinisë dhe gruas në Vetëvendosje.
Kurti ka ftuar të gjithë anëtarët që të përfshihen në këtë proces.
Këtu keni statusin e plotë:
“Viti 2022 është vit i zgjedhjeve. Le të bëhemi më të mirë se vetja. Gratë votojnë për gratë, të rinjtë votojnë për rininë, të gjithë votojmë për VETËVENDOSJE!-n. Përcaktohemi për udhëheqje progresiste për katër vjetët e ardhshme: përveçse për kryetar të LVV, kësaj radhe edhe për kryetare të GVV e kryetar të RVV. Gjithandej Kosovës dhe në mërgatë, në gjithsej 43 qendra, sot mbahen zgjedhje të brendshme demokratike në Lëvizjen tonë të gjerë. I ftoj të gjitha anëtaret dhe anëtarët të votojnë. Urime”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
Përndryshe, zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje kanë filluar sot në orën 10:00 dhe do të përfundojnë në orën 19:00, Albin Kurti është kandidati i vetëm për udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje. / Gazeta10