
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia është duke e eskaluar situatën si me gjuhë ashtu edhe me veprime, raporton Gazeta10.
Kurti ka thënë se është thellësisht i bindur se destabilizimi i takon palës serbe dhe se kjo është e panevojshme dhe artificiale.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, jam thellësisht i bindur se pala serbe panevojshëm dhe krejt artificialisht është duke e eskaluar si retorikën ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë”, ka thënë Kurti.
Duke folur për mundësinë që përfaqësuesit serb të dalin nga qeveria ai ka thënë se ata nuk duhet të përfaqësojnë krimin e organizuar që ka arritur edhe listat e zeza në SHBA.
“Unë besoj fuqishëm që përfaqësuesit e qytetarëve serbe më së paku do të duhej të përfaqësojnë dhe të shtyjnë përpara narrativa të individëve që kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë krimin e organizuar dhe që kanë arritur të shkojnë deri në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë më tej Kurti.
Sot në orën 15:00 Kurti do t’i pres në takim të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe të dërguarin special të Bashkimit Europina për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Këto takime po zhvillohen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçqi, nuk kanë gjetur ndonjë zgjdhje kompromisi javën e kaluar në Bruksel për çështjen e targave dhe dokumenteve të kalimit.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se më 1 shtator do të fillojnë zbatimin e masave të reciprocitetit. Para një muaji, kjo temë ka nxitur tensione dhe destabilizim në veriun e Kosovës. / Gazeta10
Këtu keni videon e adresimit: