Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti u bën thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të votojnë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar

Gazeta10
07 November 2026 - 16:03

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të marrin pjesë në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat mbahen nesër, më 8 nëntor.

Në një postim në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se 37 mijë e 759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë vote në këto zgjedhje.

Për 29 vende në Këshillin Kombëtar Shqiptar garojnë katër lista zgjedhore me gjithsej 107 kandidatë.

Kurti ka theksuar se, pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, Këshilli rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.

Ai ka rikujtuar se Këshilli Kombëtar Shqiptar ka kompetenca në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip.

Kreu i Qeverisë ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, përfshirë pasivizimin e adresave, diskriminimin dhe nënpërfaqësimin institucional.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët e kësaj treve përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës dhe studentë, si dhe mbështetjes për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.

Në fund, Kurti i ka ftuar qytetarët që të votojnë lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit dhe të drejtave të barabarta.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.