
Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar për në Zvicër.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e tij në Prishtinë, e cila tha se gjatë qëndrimit në shtetin helvetik, Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari “do të marrin pjesë në hapjen e panairit “Swissbau 2024″, ku 12 kompani vendore do të promovojnë prodhimet e tyre”.
Më pas, Kurti do të udhëtojë për në Davos, për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror.
“Pastaj do të udhëtojë për në Davos për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ku krahas takimeve bilaterale me homologë, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të kompanive ndërkombëtare është i ftuar edhe si folës në panele të diskutimit”, njoftoi ZKM.
Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar një javë dinamike në Zvicër dhe takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Sano, duke konfirmuar këto takime sqaroi se megjithatë nuk pritet të ketë takim trepalësh.
“Nuk është planifikuar një takim i përbashkët lidhur me dialogun, si ai i nivelit të lartë apo i ngjashëm”, ka theksuar Stano.
Takimi i fundit Kurti-Vuçiq në kuadër të dialogut është mbajtur në shtator të vitit të kaluar, që pati përfunduar pa rezultat.
Atë kohë, Departamenti amerikan i Shtetit, pati shprehur zhgënjim që nuk u arrit ndonjë përparim në rundin e ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
“Presim që të dyja vendet t’i marrin seriozisht obligimet e tyre me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që kanë arritur më herët këtë vit. Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, pati thënë Departamentit amerikan i Shtetit.
Takimi ishte mbajtur me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Takimi, që kishte në agjendë zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve, nuk prodhoi ndonjë rezultat, pati tha Borrell.
Sipas tij, ishte Kurti ai që nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e njëkohshëm të obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje, ndërsa Vuçiq e pranoi.
Borrell tha se Kurti këmbënguli që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia, kurse Vuçiq kërkoi themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kurti “nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit”, tha Borrell.
Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e rezultateve nga takimi.
Kurti tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”.
Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”.