
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, raporton Gazeta10.
Kusari tha se 28 Nëntori është ditë me rëndësi dhe peshë të veçantë për kombin shqiptar.
“Jemi këtu sot në nderim të 28 Nëntorit, ditës e cila ka shumë kuptime për kombin, në një rëndësi dhe peshë të veçantë, ditëlindja e komandantit legjenda, 110-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Dita e Flamurit, një ditë e cila në peshë dhe rëndësi çdo ditë e më shumë po tregon se sa e rëndësishme është të kultivohet dhe sa e rëndësishme është të kujtohet dhe sa e rëndësishme është që ne çdo ditë të angazhohemi që këtë ditë ta bëjmë realitet për idealin dhe sakrificën e gjithë atyre që nuk janë më”, ka thënë Kusari para gazetarëve.
Ajo tha se me përulje nderojnë sakrificën e familjes Jashari.
“Sot me përulje, si çdo herë tjetër, jemi këtu për të nderuar një sakrificë që është e pashembullt në kombin tonë në kuptimin e sakrificës për tërë familjen Jashari. Lavdi e përjetshme sakrificës së familjes Jashari dhe nderimi më i lartë për kombin shqiptar”, ka shtuar ajo./Gazeta10.