
Raporti: Arbresha Berisha / Kanal10
Kuvendi i Kosovës as gjatë këtij viti nuk ka arritur të përmbush agjendën legjislative, derisa në mungesë të kuorimit në seanca, disa projektligje do të barten për shqyrtim gjatë vitit 2023. Puna e Kuvendit të Kosovës edhe gjatë këtij viti u karakterizua me përplasje, debate të ashpra e fyerje.
Fyerje, fishkëllima, përplasje, goditje tavolinash, akuza e kundër akuza.
Të gjitha këto, karakterizojnë më së miri punën e Kuvendit të Kosovës, edhe gjatë vitit 2022.
Debatet me tone të larta mes mazhorancës e opozitës, nuk munguan pothuajse në asnjë nga seancat e kuvendit.
E nuk munguan as situata të tilla.
Të pakta nuk janë as rastet kur debatet eskaluan deri në fyerje.
Ndërsa, përplasjeve nuk i shpëtoi as kryeministri Albin Kurti.
Derisa opozita kritikoi ekzekutivin për qasjen në dialog, për politikën e brendshme e të jashtme, situatën në veri, grevat në arsim, gjendjen në shëndetësi e fushat tjera, ajo që u dëgjua më së shpeshti nga kryeministri Kurti, ishte se fajtor për dështimet ishin qeveritë e kaluara e jo ai.
Ndërsa, nga opozita e quajtën atë dezertorë e magjistar.
Debate të ashpra pati edhe mes ministrave e opozitës.
Nga këto të fundit kërkuan shkarkimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, asaj të Industrisë, Rozeta Hajdari e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Për shkak të mospajtimeve, të zakonshme gjatë këtij viti u bënë rastet kur përfaqësuesit e popullit lëshuan seancat e Kuvendit.
Për vetëm gjashtë muajt e parë të vitit 2022, nga 45 seanca të Kuvendit, 23 prej tyre dështuan të mbahen në mungesë të kuorumit.
Në mungesë të deputetëve, numër i madh i projektligjeve u bartën nga një seancë në tjetrën.
Për dështimin e seancave, pozita e opozita fajin i’a lanë njëra-tjetrës.
Ndërsa, ashtu siç e lanë në verë, deputetët iu rikthyen punimeve në sesionin vjeshtor me përpasje, kritika e akuza.
Mirëpo, pati edhe momente, të cilat mund të kenë qenë të çuditshme për qytetarët.
Edhe pse të rralla, nuk munguan as rastet kur pushteti e opozita u pajtuan për kalimin e disa projektligjeve.
Përkundër mospajtimeve, ato u bënë bashkë për ratifikikimin e marrëveshjes me MCC-në, marrëveshjen për pjesëmarrje të Kosovës në “Fiscalis”, e Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për Projektin Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren.
Ndërkaq, edhe këtë vit, për disponimin e përfaqësuesve të popullit, u kujdes kryeparlamentari Glauk Konjufca.