Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Lajçak në Prishtinë, ende nuk dihet a do të takohet me Kurtin

Gazeta10
04 July 2023 - 10:07

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak pasditen e së martës do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndonëse ardhja e tij në Kosovë është konfirmuar, megjithatë një konfirmim për një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ende nuk ka ardhur.

“Është pjesë përbërëse e punës së të dërguarit të posaçëm që të udhëtojë për t’u takuar me partnerët në terren”, tha një ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar vizitën e Lajçakut. Ai shtoi se kjo vizitë në Kosovë është pjesë e punës për “lëvizjen e dialogut përpara”.

Takimi i Kurtit me Lajçakun nuk figuron as në agjendën e kryeministrit të Kosovës.

BE-ja vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e menjëhershëm të tensioneve dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetëson Burkseli.

Blloku evropian i ka paraqitur disa kërkesa Kosovës sa i përket situatës në veri. Brukseli po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.

Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Që kur janë rritur tensionet në veri në fund të majit, nuk ka pasur takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar në Bruksel disa “takime krize” me zyrtarët evropianë, por nuk kanë mbajtur takime dypalëshe. Takimet me ndërmjetësit e dialogut, megjithatë kanë përfunduar pa rezultate konkrete.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe nisën kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.