
Pas takimit që pati me kryeministrin Albin Kurti, emisari special i BE- së për dialogun, Miroslav Lajçak foli për situatën në veri dhe barrikadat e vendosura nga serbët lokal.
Lajçak tha se do të takohet edhe me KFOR-in dhe EULEX-in për situatën në veri, por sipas tij mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo buldozerë.
“Do të takohem me KFOR-in dhe EULEX-in pas kësaj. Jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo me buldozerë. Kemi kriza, barrikada dhe kemi situatë të vështirë në veri të Kosovës. Pata një diskutim të gjatë me Kurtin. Nuk mund të presim që diçka e keqe të ndodhë.”, deklaroi ai.
Tutje, Lajçak pas këtij takimi tha se askush nuk është i lumtur me këtë situatë në veri.
Vizita e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ishte paralajmëruar qysh dje. Në takim ka marrë pjesë edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe emisari amerikan Gabriel Escobar./Gazeta10