
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se pas ndërprerjes së punimeve në “rrugën A”, ato kanë rinisur sërish gjatë ditës së sotme.
Ai ka sqaruar se ky vendim është aprovuar edhe nga shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale.
“Dhoma e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale aprovon ankesat tona dhe shfuqizon vendimin e Shkallës së Parë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit”.
Për rinisjen e punimeve reagoi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai u shpreh i lumtur që shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e ka rrëzuar vendimin, siç e quajti ai “skandaloz”.
“Punimet në ‘Rrugën A’ rinisën sot! 🚧 Shkalla e dytë e Gjykatës Komericiale rrëzoi vendimin skandaloz të gjykatëses familjare. E rrëzoi sepse ishte joprofesional; e rrëzoi sepse ishte shkelje e rëndë”, ka shkruar mes tjerash ai.
Kreu i LDK-së ka thënë se vendimet e urdhëresave politike s’mund të përfundojnë ndryshe, e që ‘popullistët’ vetëm ju kanë humbur kohë.
“Vendimet e urdhëresave politike s’mund të përfundojnë ndryshe. Popullistët, me gjithë mllefin e urrejtjen që bartin për punën e tjetrit na humbën veçse kohë. Do të duhej të kishin brenga tjera, do të duhej të kishin qëllime të tjera; sepse vendi ka nevoja plot”, ka shkruar ai.
Më 20 tetor, Gjykata Komerciale vendosi që të ndalë punimet në “Rrugën A”, që qeverisja e Përparim Ramës e ka cilësuar si më të rëndësishmin deri tash. Vetë kryetari Rama ka akuzuar se ky vendim është i bazuar në interesa politike e grupe interesi duke thënë se vendimi është marrë nga motra e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli.
Sipas Aktvendimit, thuhej se paditësi, në këtë rast kompania, “Pro & Co Group”ka theksuar se caktimi i masës së sigurisë është i domosdoshëm për arsye se paditësit i shkaktohet dëm i padrejtë dhe vështirë i riparueshëm sepse me ekzekutimin e vendimit paditësi do të privohet nga e drejta për tu kualifikuar si operatorë i përgjegjshëm me çmimin më të ulët dhe se marrë parasysh kohën e gjatë të zgjidhjesë çështjes meritore me fitimin e munguar kjo me siguri do të rezultonte në dëm të padrejtë pasi që paditësi do të privohej nga të hyra të ligjshme të cilat do të ndikonin në qarkullimin financiar që do të derivonin nga implementimi i projektit kapital për ndërtimin e rrugës -A pjesa e parë.
Kryetari Përparim Rama pati thënë se nuk i komenton vendimet e gjyqësorit, derisa kishte kërkuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që të ankohet ndaj vendimit.
“Sapo u njoftova nga mediet se shkalla e parë e Gjykatës Komerciale, paska marrë vendim në bazë të të cilit ka atakuar rëndë interesin publik të qytetarëve të Prishtinës, duke i ndaluar punimet në projektin më strategjik të Kryeqytetit dhe momentalisht të Kosovës, ‘Rrugën A’ (Jim Xhema). Vendimi i sotëm, i bazuar plotësisht në interesa politike dhe të grupeve të interesit, të cilat me çdo kusht po përpiqen ta bllokojnë transformimin e Prishtinës, është marrë nga, hiç më pak sesa motra e deputetes së VV-së Fitore Pacolli, gjyqtarja Vlora Pacolli. Megjithëse nuk jam i prirur që të komentoj vendimet e gjyqësorit, në rastin konkret, nuk ka asnjë logjikë të vendoset masë e përkohshme në kundërshtim me interesin publik dhe ndaj një projekti që ndërlidhet edhe me mbrojtjen e jetës e shëndetit të mijëra qytetarëve të lagjes “Mati”, “Kalabria” dhe “Prishtina e Re”, të cilët me vite të tëra po vuajnë nga kundërmimi për shkak të mungesës së kolektorit. Andaj, shpresoj se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale nuk do të lejojnë cenimin e interesit publik për interesa të ngushta dhe inate politike”, kishte shkruar Rama.