Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Largimi i kryetarëve të komunave përmes peticionit zvarrit shpalljen e zgjedhjeve të reja

Gazeta10
05 August 2023 - 19:49

Pavarësisht nisjes së procedurave për hartimin e një udhëzimi administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave në veri, kryetarët e komunave veriore sipas njohësve duhet të japin dorëheqje. Sipas tyre shkarkimi përmes peticionit qytetar zvarrit shpalljen e zgjedhjeve të reja në veri.

Njohës të proceseve zgjedhore dhe njohës politikë, vlerësojnë se dorëheqja e kryetarëve të zgjedhur në veri të vendit është i duhuri pasi peticioni qytetar sipas tyre zvarrit procesin zgjedhor.

Ish-kryetar i KQZ-së, Mazllum Baraliu, thotë se përkundër që iniciativa e qeverisë për hartimin e një udhëzimi administrativ është legjitime,  rruga më e lehtë dhe e shpejtë edhe për t’i plotësuar kërkesat e aleatëve ndërkombëtarë është dorëheqja e kryetarëve.

Edhe analisti politik, Albinot Maloku është shprehur skeptik se do të ketë sukses peticioni për shkarkimin e kryetarëve.

Ai thotë se faktori ndërkombëtar nuk është i interesuar për këtë model, andaj duhet të insistohet që kryetarët të japin dorëheqje sa më shpejtë dhe të shpallen zgjedhjet në veri.

Qeveria e Kosovës gjatë kësaj jave ka nisur procedurat për largimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të Kosovës dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka formuar një grup punues për hartimin e një udhëzimi administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, vazhdimisht e ka shprehur se dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore është zgjidhje më e lehtë dhe shpejtë për shtensionimin e plotë të situatës në veri./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.