
Lidhja Demokratike e Kosovës ka shkruar lidhur me 36-vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, duke e vlerësuar si aktin historik që hodhi themelet juridike të shtetësisë së Kosovës.
Përmes, një postimi në faqen zyrtare në rrjetin social Facebook, LDK thotë se në rrethana jashtëzakonisht të vështira, nën rrethim ushtarak dhe presion të ashpër nga regjimi serb, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës e shpallën Kosovën si njësi të barabartë dhe të pavarur brenda federatës së asaj kohe.
“Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. Këto përpjekje epike u pasuan nga lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-së, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë”, shkruan LDK.
Postimi i plotë:
Sot, shënojmë 36 vjetorin e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, aktin historik që hodhi themelet juridike dhe politike të shtetësisë së Kosovës.
Në rrethana jashtëzakonisht të vështira, nën rrethim ushtarak dhe presion të ashpër nga regjimi serb, 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës e shpallën Kosovën si njësi të barabartë dhe të pavarur brenda federatës së asaj kohe, duke shprehur qartë vullnetin e palëkundur të popullit për liri, pavarësi dhe demokraci.
Lëvizja gjithëpopullore e Kosovës, e prirë nga Presidenti Historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, unifikoi popullin rreth kësaj kauze, vuri bazat juridike e institucionale të shtetësisë si dhe fitoi përkrahjen e botës demokratike. Këto përpjekje epike u pasuan nga lufta çlirimtare e popullit të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-së, të cilat sollën përfundimisht lirinë në Kosovë.
Në këtë datë të rëndësishme, shprehim mirënjohjen tonë delegatëve të Kuvendit të 2 Korrikut, për guximin në atë kohë me kushte shumë të rënda, në artikulimin e vullnetit të popullit për liri dhe pavarësi.
Deklarata e 2 Korrikut mbetet një gurthemel i pathyeshëm në ndërtimin e shtetit tonë, një pikë kthese në historinë moderne të Kosovës dhe një dëshmi e qartë e aspiratës sonë për t’u bërë pjesë e familjes euroatlantike, të integruar në NATO, Bashkimin Evropian, dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.