
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj vendimit të presidentes Justina Shiroka-Pula për largimin nga hapësirat e nderit në Presidencë të fotografisë së ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Në reagimin e saj, LDK-ja e ka cilësuar këtë vendim si të papranueshëm, duke theksuar se Presidenca është institucion shtetëror që duhet të nderojë themeluesit e shtetit dhe aktet historike mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.
Sipas LDK-së, fotografia e presidentit historik Ibrahim Rugova dhe Deklarata e Pavarësisë kanë rëndësi të veçantë historike dhe shtetërore dhe nuk duhet të trajtohen si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti.
Partia vlerëson se Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjeve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, ndërsa Deklarata e Pavarësisë simbolizon vullnetin e popullit për një shtet të pavarur dhe sovran.
LDK-ja ka theksuar se largimi i këtyre simboleve cenon respektin institucional ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës, duke rikujtuar se përgjegjësia e Presidencës për ruajtjen e trashëgimisë shtetërore tejkalon mandatin e secilit president.
Në fund, LDK-ja i ka bërë thirrje presidentes Shiroka-Pula që ta rishikojë vendimin dhe të rikthejë fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë.