
Sulmuesi me prejardhje shqiptare, Leon Dajaku karrierën do të vazhdojë në futbollin kroat.
Dajaku ka kompletuar transferimin e tij te skuadra e njohur kroate Hajduk Spliti.
22-vjeçari ka nënshkruar kontratë kater vjeçare me Hajdukun, të vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Dajaku së fundi ishte huazuar te klubi i Superligës së Zvicrës, St. Gallen nga Sunderlandi i Kategorisë së Dytë të Anglisë.
Ai ka qenë pjesë e ekipit të madh gjerman Bayern Munich e po ashtu edhe e Union Berlinit e Stuttgartit.
Dajaku është shprehur mjaft i lumtur me kalimin e tij te Hajduku.
“Jam i lumtur për ardhjen në Hajduk, do të jap maksimumin në fushë dhe shpresoj që të gjithë të kemi një sezon të mrekullueshëm së bashku”, ka deklaruar Dajaku.
22-vjeçari ka qenë pjesë e grupmoshave të reja të Gjermanisë, teksa nuk ka bërë asnjë paraqitje me ekipin A.