
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se qindra shtetas të Serbisë, të cilët jetojnë ose punojnë në Kosovë, kanë aplikuar për marrjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Në një konferencë për media së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Sveçla tha se të gjitha aplikimet janë duke u shqyrtuar dhe verifikuar individualisht nga institucionet përgjegjëse.
“Ka pasur me qindra aplikime të shtetasve të Serbisë të cilët jetojnë apo punojnë përkohësisht në Republikën e Kosovës dhe të gjitha ato janë duke u verifikuar individualisht. Në momentin që përmbushen kërkesat ligjore dhe procedurat e parapara, do të vazhdohet me fazat e tjera”, deklaroi Sveçla.
Ai theksoi se procesi lidhet me zbatimin e ligjit për të huajt dhe procedurat e reja administrative të miratuara nga institucionet e Kosovës.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti u shpreh se iniciativa ka marrë mbështetje të gjerë si nga qytetarët, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, duhet të integrohen dhe të pajisen me dokumente. Kemi krijuar një periudhë prej tre muajsh për aplikim dhe kemi marrë vlerësimet më të larta si nga qytetarët brenda vendit, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar për mundësinë që kemi krijuar”, tha Kurti.