
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur për vendimin për të vazhduar tubimet elektorale gjatë së dielës sikur edhe partitë tjera politike, përkundër që një vendim të tillë u kritikua për shkak të tragjedisë në Jabllanicë të Gjakovës, ku humbën jetën tre fëmijë.
Limaj ka thënë se AAK-Nisma ka pritur që e diela të shpallet ditë zie, teksa ka theksuar se janë ndaluar aktivitetet e kësaj partie në Komunën e Gjakovës.
“Strukturat tona në Komunën e Gjakovës kanë ndërprerë çdo aktivitet. Kemi pritur dje që të shpallet ditë zie në tërë Kosovën”, ka thënë Limaj.
Por megjithatë, ai ka thënë se AAK-Nisma i ka kufizuar të gjitha aktivitetet edhe në nivel vendi.
“Vërtetë është një rast tragjik dhe ne i kemi kufizuar të gjitha aktivitetet dje edhe në nivel vendi. Kemi pritur që sot do të jetë ditë zie”, ka thënë ai në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Ndryshe, shumica e partive politike kanë marrë kritika të shumta për vazhdimin e tubimeve elektorale, pasi një ngjarje e rëndë kishte ndodhur në Jabllanicë të Gjakovës ku tre të rinj humbën jetën si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar. /Gazeta10/