
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se veprat e tij i gëzojnë sot të gjithë qytetarët e Kosovës, duke iu referuar ndërtimit të autostradës dhe Aeroportit të Prishtinës.
Limaj ka thënë se për ndërtimin e autostradës kishte marrë shumë kritika gjatë kohës sa kishte qenë në qeverisje, por ka theksuar se ata që e kanë sharë sot qarkullojnë në autostradën që e ka ndërtuar ai.
“Nëse ju keni ba një vepër të mirë për vendin, atë e gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës p.sh. autostradën e përmendëm ju e dini se sa akuzat janë hedhur, por në atë autostradë vazhdojnë me qarkullu edhe ata që të kanë sha e kanë shpifur”, ka thënë Limaj.
Tutje, Limaj ka theksuar se ka pasur kritika të njëjta edhe për Aeroportin e Prishtinës.
Por megjithatë, ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje po e përdor këtë aeroport për të shkuar dhe për të shpërndarë helm në diasporë.
“Me shku në Aeroport të Prishtinës që dikur kanë thane që është shitur, sot shkojnë këta edhe i marrin çantat e veta edhe shkojnë në diasporë e helmojnë e shpifin atje për Kosovën e shkatërruar”, ka thënë ai në “Politiko” me Kushtrim Sadikun.
Tutje, Limaj ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka bërë as edhe një projekt për vendin. /Gazeta10/